Dokumentet strategjike të mbrojtjes shërbejnë si udhërrëfyes për avancimin, përshtatjen dhe zhvillimin e kapaciteteve, aftësive dhe gatishmërisë operacionale të Armatës maqedonase për t’iu përgjigjur sfidave aktuale dhe të ardhshme të sigurisë. Ministria e Mbrojtjes, gjatë periudhës së kaluar, ka filluar procesin e hartimit të Rishikimit të ri Strategjik të Mbrojtjes (RSM), i cili përfaqëson një hap të rëndësishëm në zhvillimin afatgjatë dhe modernizimin e sistemit të mbrojtjes, në përputhje me prioritetet kombëtare të mbrojtjes, sfidat bashkëkohore të sigurisë dhe detyrimet që rrjedhin nga anëtarësimi në NATO.
Në periudhën nga 30 tetori deri më 5 nëntor, në një vizitë pune në Ministrinë e Mbrojtjes qëndrojnë dy ekspertë nga Mbretëria e Bashkuar, koloneli Matt Randall dhe Holly Campbell, të cilët me ekspertizën dhe përvojën e tyre dhanë mbështetje në procesin e hartimit të RSM-së së ri, një prej dokumenteve kryesore strategjike në fushën e mbrojtjes.
Gjatë vizitës, ekspertët britanikë zhvilluan një sërë takimesh pune dhe konsultimesh me grupin e punës përgjegjës për hartimin e dokumentit, gjatë të cilave ndanë njohuritë, përvojën dhe mendimet e tyre profesionale. Përmes shkëmbimit të përvojave, ndarjes së praktikave më të mira dhe metodologjive bashkëkohore, ekspertët kontribuuan në procesin e përgatitjes së Rishikimit të ri Strategjik të Mbrojtjes, i cili do të përcaktojë prioritetet e ardhshme të mbrojtjes, aftësitë e nevojshme dhe drejtimet për zhvillimin e mëtejshëm të sistemit të mbrojtjes.
Në kuadër të mbështetjes për procesin e nisur të hartimit të Rishikimit të ri Strategjik të Mbrojtjes, më 30 tetor ekspertët britanikë zhvilluan një takim edhe me sekretaren shtetërore në Ministrinë e Mbrojtjes, Elizabeta Çupovska Ristova, ku u diskutua për rëndësinë e Rishikimit të ri Strategjik të Mbrojtjes në kontekstin e sfidave aktuale dhe të ardhshme të sigurisë. Në takim u theksua rëndësia e shfrytëzimit të përvojës dhe ekspertizës britanike në këtë proces, si dhe përfitimet nga bashkëpunimi dhe shkëmbimi i njohurive me aleatët.